Sunday, May 25, 2014

'Shqiptarët e Maqedonisë janë duke e paguar në këste luftën e 2001-ishit!'



 Kriza politike në partitë maqedonase vetëm se shkon duke u thelluar, pasi që partia më e madhe opozitare LSDM nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të fundit, me çka është duke bojkotuar parlamentin. Ndërkohë, te partitë shqiptare situata është krejtësisht ndryshe, sepse rezultatet e fundit përveç RDK-së, dy partitë më të mëdha shqiptare BDI e PDSH i kanë pranuar zgjedhjet si legjitime. Qeveria e re e Nikolla Gruevskit, mbështetet fuqishëm nga BDI e PDSH.
Analisti, Nazif Zejnullahu, thotë se Maqedonia nuk ka një opozitë të mirëfilltë, duke shtuar se zhvillimi i çështjes shqiptare do arrihet në momentin kur të largohet “frika” e BDI-së që ka ndaj Gruevskit.
"Formalisht, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë opozitë. Qëndrimi i kreut të PDSH-së se "sa s'ka hyrë në qeveri" është nënçmues për shqiptarët, një gjendje e cila tashmë po na ngulfat prej vitesh, qoftë edhe atëherë kur kjo "ndarje" ka qenë krejt e prerë. BDI, ndërkaq, është bërë "një anije e madhe në një gropë pusi" - ajo vazhdon të jetë peng i partisë VMRO-DPMNE, angazhimi i së cilës është mbledhja e tagrit nga ana e shqiptarëve për gjithë atë çka ka ndodhur në vitin 2001. Realisht, shqiptarët e Maqedonisë tani, dhe më tej, janë duke i paguar "këstet" e asaj lufte, konflikti a çfarë ishte. Ç'mund të ketë ndryshe në punën e BDI-së? Ka shumë për t'u dëshiruar, por së pari duhet të "shlyhet" ajo që VMRO-DPMNE, po dhe LSDM, e llogarisin si një lloj "kredie" që duhet të paguajnë shqiptarët, pothuajse në vazhdimësi. Po të arrijë BDI ta rimarrë veten, të heqë frikën që merr nga Nikolla Gruevski personalisht, jam i bindur se shumë gjëra mund të ndryshojnë në të mirë të shqiptarëve. Kjo direkt shkon edhe në konton e shtetit të Maqedonisë, në mbylljen e problemit me emrin dhe anëtarësimin e shpejtë në NATO dhe në BE. Por para kësaj, duhet edhe shumë gjëra tjera të jenë kryer, si zhvillimi i demokracisë, liria e shprehjes dhe e medieve",

No comments:

Post a Comment