Monday, May 26, 2014
Maqedonia në rrezik nga moti i keq
Maqedonia ka hyrë në fazën e verdhë, që nënkupton fazën e parë të rrezikut nga moti i keq. Kështu paralajmëruan nga Enti hidrometeorologjik duke iu bërë apel qytetarët që gjatë reshjeve të shiut, të mos dalin nga shtëpitë. Sipas sinoptikëve, përkeqësim moti pritet sërish në orët e mbrëmjes ku reshjet do të jenë po aq të rrëmbyeshme, të shoqëruara me vetëtima e breshër. Ndërkohë, temperaturat e larta të ditës së sotme lëviznin deri në 31 gradë, që sipas sinoptikëve kanë ndihmuar akoma më shumë në reshje.
“Në orët e mbrëmjes do të kemi mot jo të qëndrueshëm në shumë vende të Maqedonisë. Është paraqitur faza e verdhë që është faza e parë e rrezikut, dhe kjo nënkupton kujdes nga përkeqësimi i motit. Paralajmërimet janë se sot moti do të jetë akoma më i rrezikshëm nga mbrëmë. Ndërsa mbrëmë preku kryesisht Shkupin, sot pritet thuajse gjithë Maqedoni. Ndërkohë, nuk përjashtohet që deri në mbrëmje të kemi edhe stuhia të shpeshta me breshër dhe erë të fortë”, u shpreh Kostadinka Arsovska, sinoptike.
Nga Enti Hidrometeorologjik paralajmërojnë se moti do të stabilizohet gjatë natës, dhe do të vazhdojë i tillë në dy ditët në vijim. Ndërkohë nga Qendra për menaxhimin e Krizave bëjnë apel që qytetarët të mos përdorin makinat, të mos dalin në ambiente të hapura, për shkak të shkarkesave të vetëtimave, por të qëndrojnë nëpër shtëpi. Në raste emergjente, Qendra për Menaxhimin e Krizave iu bën apel qytetarëve që të përdorin numrat e telefonit: për policinë 192, për zjarrfikësit 193, për ndihmën e shpejtë 194 si dhe për qendrën për menaxhimin e krizave 195, në raste të defekteve apo rreziqeve të tjera
Labels:
Lajme
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment