Sunday, May 18, 2014

Atletico kampion i Spanjës




 Atletico Madridi është kampion i Spanjës për sezonin 2013/2014. Madrilenët barazuan përballë Barcelonës (1-1) në Camp Nou, rezultat që i pozicionon në vend të parë pas 38 javëve të luajtura.
Pjesa e parë ishte një makth i vërtet për miqtë ku përveç rezultatit 1-0, humbën dhe dy lojtarë për shkak të dëmtimeve, Arda Turanin e Diego Costan,.
Fabregas dërgoi një top te Messi, i cili me gjoks e çoi në drejtim të Alexis Sanchez dhe kiliani realizoi me një gjysmë-vole (33’).
Porsa filloi gjysma e dytë, Koke dërgoi një top drejt David Villas, i cili e dridhi shtyllën e ish-skuadrës së tij.
Nuk kaloi shumë kohë dhe erdhi goli i barazimit. Gabi harkoi nga këndi dhe Diego Godin kërceu më lartë nga të gjithë për të shënuar (49’).
Të zgjedhurit e Diego Simeones bënë presion pas golit të shënuar, ndërkaq Messi realizoi nga pozicioni jashtë loje. Të dyja skuadrat patën raste deri në fund, mirëpo gola të tjerë nuk pati.
Atletico Madridi e mbyll edicionin 2013/2014 si kampion i Spanjës me 90 pikë, tri më shumë se Barcelona që nuk fitoi asgjë këtë sezon.
Ky është titulli i dhjetë i La Ligas në histori të Atleticos dhe i pari që nga sezoni 1995/1996.
Kampionët e rinj të La Ligas, do të luajnë më 24 majit finalen e Championsit kundër Real Madridit.
************************’
Madhështore, kështu e cilësoi trajneri i Atleticos së Madridit Diego Simeone fitoren titullit të La Ligas pas plotë 18-vitesh nga skuadra e tij. Numri 1 i stolit të Los Colchoneros falenderoi gjithashtu futbollistët për shpirtin e garës që kanë treguar në gjithë këtë sezon dhe mbi të gjitha për punën e palodhshme që ata kanë bërë.
“Madhështore, nuk kam fjalë të tjera për ta përshkruar këtë titull. Në këtë sezon kemi luftuar, kemi rivalizuar si dhe kemi treguar përulësi kundër të gjithëve. E dija shumë mirë se edhe pas golit të pësuar lojtarët e mi nuk do të dorëzoheshin. Dua t’i falenderoj ata për punën e madhe dhe të palodhshme që kanë bërë në gjithë këtë sezon. Ata kanë qenë me të vërtetë të jashtëzakonshëm në këtë sezon prandaj dëshiroja kaq shumë që të arrinim deri në këtë pikë”.
Në vijim njeriu që riktheu Atleticon në majat e futbollit spanjoll dhe atij Europian përveçse shprehu gjithë lumturinë e tij për trofeun e fituar falenderoi edhe disa persona në veçanti.
“Është një ndjesi e jashtëzakonshme, është një gëzim që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Dua të falenderoj të gjithë njerëzit që besuan te ne, në veçanti Migel Angel Gil, presidentin Enrique Cerezo dhe Luis Aragones që jam i sigurt se na ndihmoi që nga qielli. Shpresoj të mos kem harruar asnjë”.
Jashtëzakonisht i emocionuar edhe autori i golit që i dha titullin Atleticos. Diego Godin theksoi se të rivalizosh për 38 javë me Realin dhe Barcelonën është shumë e vështirë, megjithatë sipas qendërmbrojtësit uruguaian një meritë të madhe për këtë La Liga të fituar nga Los Colchoneros e ka padyshim trajneri Diego Simeone.

No comments:

Post a Comment